Ka shpërthyer!
43, Prishtina, Kosovo

Ka shpërthyer!

Shikojeni terrorizmin! Shikojeni torturuesin! Shikojeni shkatërrimtarin! Shikojeni çrregulluesin! - Zëri i pafajshëm. Zërat e të dëbuarve nga dinjiteti dhe nderi i tyre. Zëri i përvajshëm i të pafajshmëve!

Le të shpërthejë! Është duke shpërthyer. Jo vetëm zemërimi. Jo vetëm dëshira e flaktë e shtypur. Jo vetëm vullneti i hekurt i ndrydhur. As vetëm mendja e shtrënguar. Por i gjithë morali i mbledhur për kohë të tëra! Moral i shkelur. Turp i shkoqur. Djersë e nëpërkëmbur. Lot i pështyrë. S’ka të ndalur.

Kur shpërthen zemërimi, vështirë të ndalojë. E shpërthyera me të drejtë, kur mbi të me vite të tëra është rënduar barra e përçmimit, dhunës dhe torturës. Ka dalë në rrugë. Nuk guxon të kthejë më në shtëpinë e tij, tani e boshatisur. S’ka lënë gjë prapa. E ardhmja është para tij.

Syri nuk guxon më të gënjehet. As e dëgjuara të mashtrohet. Atje larg sheh një dritë. Edhe pse tuneli duket i gjatë. Prapa është errësirë e plotë. Përpara duket diçka. Është dalja. Atje është shpresa. Edhe pse njerëzit duan të rrënojnë këtë shpresë. Ata nuk dëshpërohen. Jo, as nuk mashtrohen!

Fuqia e qëndresës për dinjitet e identitet, është fuqi e pashtershme. Fuqi e pa rezistueshme. Është plot moral. Edhe plot dhembje. Kur sheh lotin në sytë e pafajshëm, e të pafajësisë. Duke parë dritën. Duke prekur shpresën! Po shpërtheu, ka shpërthyer, guximi vjen e shtohet duke u plotësuar, ndërsa të tjerët sa vijnë e turpërohen!

Mjaft, është mjaft! Gishti i ngritur, i ngritur lart, nuk ulet më. Morali i përplasur, i ndezur fort, nuk shtypet më!

S’ke më kthim prapa! Je ngritur. Ke bërtitur. Nxore zjarrin e mbledhur. Le të digjen flamujt e injorancës, të shtypjes, të torturës e të dhunës!

Le të bie përçmimi! Le të bie turpi mbi ata që fshehën paturpësinë e tyre! Le të shijojnë shijen e hidhur të humbjes, humbjes së vërtetë. Të poshtëruar e të zhytur në thellësitë e pandershmërisë.

Mos u ul më! Mos u kthe më në shtëpi!

Shtëpia jote le të jetë rruga drejt fitores! Streha jote është morali yt! Fuqia jote e shpërthyer me moral plot!

Ti mundesh. Je duke mundur. Mos dëgjo pëshpërimat e dëshpërimit. Mos dëgjo zërin e tradhtisë e të mashtrimit

6 näyttökertaa
 
Kommentit

Ei ole kommentteja vielä.
Jätä kommenttisi, aloita keskustelu!

Blogi
Blogit päivitetään joka 5 minuutti